Rama ftoi studentët për dialog, reagon Marjana Koçeku: Populli na ka zgjedhur për t’i kërkuar llogari qeverisë në Parlament, Peleshi të thërrasë urgjentisht mbledhje! Kryeministri të vijë aty

Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish për protestën studentore duke kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit dhe thirrjen e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar mbi kërkesat e studentëve.

Përmes një deklarate, Koçeku kritikoi kontrastin mes ftesës së kryeministrit për dialog me studentët në ambientet e Kryeministrisë dhe mungesës së aktivitetit parlamentar, në një moment kur vendi ka më shumë nevojë për llogaridhënie institucionale.

Deputetja nënvizoi se përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët duhet të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit dhe t’i kërkojnë llogari qeverisë për çështjet që shqetësojnë vendin.

“Sot e pamë kryeministrin tue nxjerrë karriget jashtë Kryeministrisë për dialog. Ndërkohë, karriget e Parlamentit janë braktisë.

S’ka absurditet ma të madh. Institucioni ku duhet me u dëgju fjala e me i kërku llogari qeverisë, i ka ndërpre punimet pikërisht kur vendi ka ma shumë nevojë për të.

Seanca e fundit u anullu. Nuk mundemi me pritë që edhe seanca e radhës të anulohet.

I kërkoj kryetarit të Kuvendit me marrë përgjegjësinë institucionale që i takon dhe me thirrë urgjentisht Parlamentin. Deputetët duhet me qenë në sallë dhe me kërku përgjigje prej qeverisë.

Dialogun ta bajmë aty se studentat janë të qartë në kërkesën e tynë. Nuk mund të bajë kryeministri dialog me studentët. Dialogun ta bajë në kuvend.

Shqiptarët na kanë zgjedhë me i përfaqësu. Në këtë moment, me e lanë Parlamentin bosh don me thanë me iu shmangë detyrës.

Ju kërkoj edhe njiherë Zoti Kryetar, mblidheni parlamentin dhe thirreni kryeministrin të diskutojmë për këtë çështje kaq të rëndësishme”,- deklaron Koçeku.