“Mund të thyejnë dyer, por jo dinjitetin tonë”, pronari i një lokali në Francë denoncon vandalizimin

Pronari i një lokali në Francë ka denoncuar përmes një shkrimi vandalizimin e biznesit të tij, duke treguar se dera ishte thyer dhe në brendësi ishin lënë shkrime urrejtjeje.

Sipas rrëfimit të tij, ngjarja ka ndodhur pas protestave në Francë. Ai thotë se shkrimet ishin lënë në vendin ku qëndron simboli i shqiponjës shqiptare dhe se i kishte fshirë menjëherë, i revoltuar nga ajo që kishte gjetur.

“E fshiva menjëherë nga inati dhe dhimbja, sepse pisllëqet e tyre nuk mund të njollosin atë që ne ndërtojmë me ndershmëri e punë të palodhur çdo ditë”, shkruan ai.

Pavarësisht dëmeve, pronari shprehet i vendosur për të vazhduar punën, duke theksuar se akte të tilla nuk e trembin.

“Mund të thyejnë xhama e dyer, por kurrë nuk mund të thyejnë shpirtin, dinjitetin dhe rrënjët tona”, thekson ai, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Ne jemi këtu për të qëndruar!”

Në shkrim nuk jepen hollësi për qytetin ku ndodhet lokali, autorët e dyshuar apo nëse rasti është denoncuar në polici. Gjithashtu, nuk sqarohet nëse vandalizimi ka lidhje të drejtpërdrejtë me protestat.