28 vite më parë, Shqipëria u trondit nga një prej vrasjeve që edhe sot vijon të mbajë shumë mister brenda. Pak metra larg selisë së PD-së u qëllua pabesisht Azem Hajdari.
Teksa ishte në zyrë, deputeti i PD-së u njoftua se dikush e priste poshtë, ku ishin Fatmir Haklaj dhe Jaho (Salihi) Mulosmani.
Kjo është edhe pjesa më e debatueshme, pasi ka shumë nga ata që thonë se këtu ka gisht ish-kryeministri Berisha, i cili dyshohet se e nxori në pritë përmes ish-truprojës së tij Izet Haxhisë, i cili është dënuar me 21 vite burg si pjesëmarrës në krim. Thuhet se dikush e telefonoi Hajdarin.
Pasi u informua, Azem Hajdari, së bashku me dy truprojat e tij, Zenel Nezën dhe Besim Çerjan, zbriti dhe iu drejtua makinës që ndodhej poshtë, duke trokitur në xham. Në këtë moment, nga mjeti doli Fatmir Haklaj dhe iu afrua me një kallashnikov në duar, duke e qëlluar.
Më pas, në të djathtë të tij supozohet se u afrua Jaho Mulosmani dhe në të majtë Naim Çangu, që të dy të armatosur. Në këto momente, Besim Çerja, truproja i vendosur në anën e majtë të Azem Hajdarit, bllokoi armën e Fatmir Haklajt, duke ia kapur fort me të dyja duart.
Tyta e kësaj arme drejtohej nga krahu ku ndodheshin Zenel Neza dhe Naim Çangu. Kur pa se Fatmirit iu bllokua arma, Jaho Salihi u afrua dhe pretendohet se qëlloi me një pistoletë 9 mm në kokë shokun e tij, Besim Çerjan.
Misteret
Por kjo ngjarje ka shumë mistere. Vetë Sali Berisha i drejtohej me një letër ambasadorit amerikan në atë kohë dhe akuzonte truprojën e tij Izet Haxhinë si të përfshirë. Por që atëherë, ai kurrë nuk doli para drejtësisë, qoftë edhe si dëshmitar.
Kur u bë gjyqi për Jaho Mulosmanin dhe vëllezërit Haxhia, Berisha u thirr disa herë në gjykatë e në prokurori si dëshmitar dhe kurrë nuk shkoi.
Së fundmi, u zhvillua gjyqi i Izet Haxhisë dhe prokuroria, bashkë me avokatin e tij, kërkuan që Berisha të thirrej si dëshmitar, por gjyqtari e rrëzoi kërkesën.
Shumë prova për vrasjen e Azem Hajdarit janë zhdukur. Prova më kryesore është një regjistrim i bërë ndaj Zenel Nezës. Pas atentatit, Zenel Neza mbeti i plagosur dhe shkoi në spital.
Personi i parë që i shkoi në shtrat ishte Sali Berisha, i shoqëruar nga gazetari Ylli Rakipi. Ky i fundit kishte një diktofon në dorë dhe i morën një dëshmi Zenel Nezës. Kjo dëshmi nuk u bë kurrë publike dhe kaseta u zhduk.
Po ashtu, Zenel Nezës iu dha pasaportë diplomatike dhe ai u largua jashtë vendit, ku mori azil. Ai nuk dëshmoi kurrë qartë për ngjarjen.
Një tjetër provë e zhdukur është ditari i ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta. Në dosjen hetimore ndodhet një letër e Perikli Tetës, i cili tregon se gjatë hetimeve atij i është sekuestruar nga grupi hetimor një ditar, ku ai ka shkruar të gjitha ndodhitë për vrasjen e Hajdarit.
Në atë ditar ka pasur të dhëna shumë interesante, ku flitej edhe me emra konkretë. Por ai ditar nuk është më në dosjen e prokurorisë.
Berisha dhe Hajdari
Kjo ngjarje, natyrisht, u kujtua edhe sot. Por këtë herë kaloi pa shumë vëmendje. Berisha e kujtoi me një status që e publikon çdo 12 shtator.
Në fakt, mes Berishës dhe Hajdarit ka pasur një rivalitet shumë të madh. Përveç zërave që thonë se Berisha ka gisht në vrasjen e tij, janë faktet që tregojnë se si Berisha e ka sulmuar vazhdimisht Hajdarin.
Një foto e shumë viteve më parë tregon një artikull të gazetës “Rilindja Demokratike”, ku shkruhej për kohën kur ish-kryeministri Sali Berisha kërkonte përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi parlamentar i PD-së.

Më 9 janar të vitit 1997, me urdhër të tij, kryesia e grupit parlamentar të PD-së vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së.
Ky vendim erdhi pasi Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si president.
Shumë shpejt, Azem Hajdari u “ngri” si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së e përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar. Dy vjet para eliminimit, Sali Berisha akuzoi Azem Hajdarin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe si shërbëtor të Ramiz Alisë.
“Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, Z. Azem Hajdari? Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët, kemi të drejtë të themi se kishim dy Azem. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se ç’nxirrte nga xhepat. Deputeti Azem Hajdari hyri në grevën e urisë. Kureshtarët e shumtë, tifozët e politikës u gjendën të befasuar nga veprimet e zotit Hajdari dhe sollën versione të ndryshme në shpjegimet e tyre, duke akuzuar më pas Azem Hajdarin për lidhje të shumta kriminale, lidhje me sigurimsat e shtetit, në shërbim të Ramiz Alisë e të tjera me radhë”, shprehej Berisha në vitin 1996.
Sali Berisha është akuzuar nga shumë individë se ka gisht në vrasjen e Hajdarit. Sipas shumë prej tyre, ai e ka përdorur vrasjen për grushtin e shtetit të vitit 1998.
Një ndër emrat e rëndësishëm që e akuzon është Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ në atë kohë.
“Ai e qau me lot krokodili pas vdekjes dhe e shfrytëzoi vrasjen e tij sepse ai ishte kundërshtari kryesor i Berishës. Për këtë ngjarje janë dhënë dënime, por shumica e të dënuarve nuk janë më. Vendimet janë dhënë, por ato u bënë më shumë për të treguar që, shiko, drejtësia në Shqipëri funksionon, dhamë dënime shumë të forta. Procesi mbeti pa i shkuar problemit deri në fund. Berisha që ishte i pari që akuzohej. Vetëm 10 minuta pas ngjarjes ai deklaroi se kush janë autorët, kush janë vrasësit. Pra, ishin disa gjëra që Berisha i dinte para. Është një histori vërtet e ngatërruar nga ku nuk u vra vetëm Azem Hajdari. Për mua, Berisha ka kontribut. Ai nuk pranoi të dëshmonte, megjithëse pretendonte të jepte kontributin e tij për zbardhjen e ngjarjes, ai kurrë nuk shkoi. Ai nuk ishte dëshmitar në gjyq, e shmangu, e largoi nga vetja këtë ngjarje. Vetëm e shfrytëzoi atë politikisht”, ka thënë Fatos Klosi.
Më i drejtpërdrejtë ka qenë Marjan Gryka, ish-truproja i Azem Hajdarit. Ai e ka deklaruar disa herë hapur se Berisha ka qenë i implikuar në vrasjen e Hajdarit.
“Saliu u soll si Jago me Azemin. Nuk e ka dashur kurrë Azemin, ka bërë gjithçka të ndyrë për ta spostuar e larguar prej kësaj partie. E kam thënë dhe e përsëris me bindje që ai inskenoi skenarin e eliminimit fizik të Azemit, pas 7 vitesh lufte morale, politike e fizike kundër tij”, ka thënë ai.
Në një linjë ka qenë edhe Izet Haxhia, ish-truproja i Berishës, i dënuar tashmë si i përfshirë në vrasjen e Hajdarit.
“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, ka thënë Haxhia.
Edhe Zylfie Haklaj pretendon se Hajdarin e nxori në pritë Sali Berisha.
“Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin. Duke pasur parasysh takimin e Azemit me babain, mund ta ketë kërcënuar, i ka thënë ‘ke bërë marrëveshje me Haklajt’, e mund ta ketë detyruar të dalë”, ka thënë ajo.
Por pas 28 vitesh, sërish ka shumë mistere dhe pikëpyetje mbi këtë ngjarje. /Pamfleti

