Aktivisti Edison Lika deklaroi se në 100 ditë protestë kanë arritur që t’i çjerrin maskën qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar si regjim.
Në një intervistë për News24, ai deklaroi se tashmë figura e kryeministrit Rama është “shembur” edhe ndërkombëtarisht. Ai riktheksoi edhe njëherë se nuk do të largohen nga sheshi derisa ta largojnë të gjithë qeverinë.
“Në raport me pushtetin kemi fituar shumë gjëra. Ne i kemi çjerrë maskën një regjimi që e kishte ndërtuar pushtetin me një fasadë. Ia kemi nxjerrë në raport me ndërkombëtarët sepse kemi parë shumë media të huaja dhe eurodeputetë që kanë folur kundër këtij regjimi nga sheshi.
Kemi ngjallur edhe në shpresë te shqiptarët që zgjidhje prej vitesh kishin emigracionin. Duket se edhe ata që janë larguar kanë një lloj shprese te kjo shkëndijë që ka ndezur më 31 maj.”, tha ai.
Aktivisti konfirmoi gjithashtu se do të jenë nesër në protestë para parlamentit, kur pritet të nisë seanca plenare pas pushimeve të verës.
“Përderisa strategjia e atyre nuk ka ndryshuar, do të jemi aty për t’iu thënë se e kemi më seriozisht se në fillimet tona. Do të jemi për t’i pritur me vezë deputetët që nuk na kanë përfaqësuar, por vetëm krimin, oligarkinë dhe vetëm kryetarët e partive të tyre.”, shtoi ai.
Duke u ndalur te protesta masive e paralajmëruar më 12 shtator, ai theksoi se diaspora do të vijë për të shporrur ata që i larguan nga vendi.

